
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan do të vizitojë Shqipërinë në 10 tetor, ndërsa në 11 tetor do të udhëtojë drejt Beogradit. Vizita e Erdogan në Tiranë ishte e planifikuar më herët, ndërsa agjenda e takimeve për këtë vizitë zyrtare ende nuk është bërë publike. Autoritetet kanë nisur marrjen e masave të sigurisë, ndërsa në ditët e qëndrimit të Presidentit turk pritet një nivel i lartë gatishmërie, jo vetëm nga policia, por edhe Garda.
Mendohet se qëllimi kryesor i vizitës në Tiranë i Presidentit Erdogan ka lidhje me inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë, e cila ka përfunduar punimet prej disa kohësh, por ende nuk është vënë në funksion për besimtarët myslimanë.
Në vizitën në Tiranë, Presidenti turk do të zhvillojë takime me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj, si dhe me një përfaqësi të komuniteteve fetare.
Vizita e Erdogan në Tiranë vjen në një kohë kur është hedhur ideja për krijimin e “urdhrit sovran Bektashi” në formën e një “shteti”, detajet e së cilës janë zbardhur në mediat ndërkombëtare, si dhe kanë krijuar polemika, kundërshti, por edhe përkrahje, edhe pse nuk ka shumë informacione për modelin që do të zgjidhet dhe si do të aplikohet.
Por gjithashtu vizita e Presidentit të Turqisë në Tiranë, dhe më pas në Beograd, vjen në një kohë kur konflikti në Lindjen e Mesme ka marrë përmasa të mëdha. Shqipëria është rreshtuar në krah të Izraelit, ndërkohë që Turqia ka mbajtur një pozicion të ashpër kundër veprimeve të shtetit izraelit, në sulmet në Gaza dhe Liban, ku ndodhen qendrat e Hamas dhe Hezbollah.
Dhe ndoshta këto mund të jenë çështje që mund të diskutohen në takimet e nivelit të lartë mes Presidentit Erdogan, homologut Begaj dhe Kryeministrit Edi Rama.
Rama dhe Erdogan takimin e fundit që kanë zhvilluar mes tyre e realizuan në New York në kuadrin e Asamblesë së OKB-së.
Ndërkohë në bisedën telefonike e gushtit 2024 mes tyre, sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria turke, Erdogan dhe Rama kanë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale dhe globale.
Drejtoria e Komunikimit të Turqisë bënte të ditur se gjatë bisedës, Erdogan theksoi se marrëdhënia Turqi- Shqipëri është në një nivel të avancuar dhe se bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes do të forcohet më tej përmes kontakteve tregtare, ekonomike dhe ushtarake.