
Në një nga momentet më të tensionuara që ndodhën sot para Parlamentit mes deputetëve të përjashtuar të opozitës dhe policëve ishte pretendimi se njëri nga efektivët e FNSH-së i kishte drejtuar armën në gjoks deputetit Luan Baçi.
Në video duket polici lëviz dorën e djathtë në të njëjtin pozicion sikur të ishte duke nxjerrë një armë, kur në fakt kishte një spraj siç duket edhe në video, por që nuk e përdori.
Në video duket që polici vetëm sa e vendos dorën në mënyrë instiktive në ije, ndërsa deputeti Luan Baçi shkoi shumë larg dhe deklaroi se efektivi ia vuri armën në gjoks.
Policia doli me një njoftim zyrtar ku tha se asnjë efektiv i saj në kuvend nuk ka qenë i armatosur.
“Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnjë punonjës policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome. Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit” thuhet në njoftimin e policisë.