
Suel Çela i shpallur në kërkim si koka e një grupi kriminal në Elbasan me lidhje në gjyqësor, polici dhe media, ka bashkëpunuar për trafikun e sasive të kokainës nga Amerika Latine me personazhe të njohur të botës së krimit si Ergys Dashi.
Suel Çela, i njohur edhe si Marjus Lulaj, komunikon me Gazmend Dishën, të cilit i kërkon të investojë një pjesë të parave në ngarkesën e kokainës.
Biseda të shpeshta, Suel Çela ka zhvilluar edhe me Ergys Dashin. Ata diskutojnë për organizimin e disa ngarkesave me sasi të ndryshme kokaine, të cilat në disa raste janë kapur nga autoritetet në portet evropiane, shkruan voxnews.
Ergys Dashi konsiderohej si një person me lidhje të forta me kartelet në Ekuador, ku edhe ishte rezident, dhe ku u ekzekutua në mënyrë mafioze në 22 janar të 2022-shit në Guayaquil të Ekuadorit.
Pak kohë përpara se të mbetej viktimë në atentat, në një prej bisedave të shumta që Dashi kishte zhvilluar në “SKY ECC” me Suel Çelën, ai zbulon se si brenda një muaji kishte humbur 4 milionë e gjysmë euro mall, pasi ngarkesat e dërguara ishin kapur në Holandë dhe Arabinë Saudite. /korrieri