
Një postim në rrjetin social Snapchat është bërë shkak për një konflikt i cili ka ndodhur ditën e sotme, mes dy nxënësve në shkollën e mesme të Cakranit të Fierit.
17 vjeçari B.D., godit me thike në krah bashkëmoshatarin e tij Y.Xh. Ky i fundit u transportua në spitalin rajonal të Fierit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga drejtoria e policisë së Fierit pohojnë për mediat se autori ka thënë se janë zënë sapo kanë hyrë në oborr të shkollës, pasi kishin debatuar për një postim në rrjetin social Snapchat mbrëmjen e djeshme.
Ndërkohë B.D., është shoqëruar në polici për veprime të mëtejshme, teksai i është sekuestruar thika me të cilën goditi adoleshentin tjetër.
‘Rreth orës 08:30, në fshatin Cakran, Fier, në ambjentet e shkollës së mesme Cakran, gjatë një konflikti të çastit mes dy nxënësve, njëri prej tyre shtetasi, B. D.,17 vjeç, ka goditur me mjet prerës në krah bashkëmoshatarin shtetasin Y. Xh, të (dy nxënës të kësaj shkolle). Shtetasi Y. Xh., u transportua në spitalin Rajonal Fier, për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.’, njofton policia.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se shkolla ka edhe roje edhe oficer sigurie, ndërsa është hera e parë që ndodhin konflikte të tilla në këtë shkollë. Në shkollën ku ndodhi ngjarja sapo kanë mbërritur edhe përfaqësues të Prokurorisë Fier. /korrieri