
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, premtoi se në qeverisjen e PD-së, pas fitores në 11 Maj, do të rrisë pagat e arsimtarëve mbi mesataren e pagave që do të jenë 1200 euro.
Në takimin me mësuesit në Kamëz për ditën e 7 Marsit, Berisha tha se kjo është pikë e rëndësishme e programit të PD për një trajtim të merituar të mësuesve.
“Shqipëria Madhështore’ është Shqipëria e arsimit madhështor, në të cilin mësuesi e mësuesja, do të jenë në piedestalin e nderit që u takon atyre për misionin e madh që kanë. Nuk ka mision më të madh, nuk ka mision më të rëndësishëm, më serioz se misioni i mësuesit. Ndaj dhe ne i rikthehemi përsëri besimit tonë tek arsimit. Ne i rikthehemi përsëri trajtimit dinjitoz të mësuesit dhe mësueses në Shqipëri. Nuk mund të ketë mësues me rrogë mesatare në Shqipëri. Nëqoftëse rroga mesatare në Shqipëri do të jetë 1200 euro, e mësuesit do të jetë mbi mesataren. Për këtë ju garantoj unë miq. E pedagogut do të jetë qartësisht mbi mesataren. Pra do i rikthehemi me forcën më të madhe, trajtimit të merituar të mësuesit e mësueses”,tha Berisha.
Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se në qeverisjen e tij, arsimi ka qenë viktima më tragjike e tij. Në takimin me mësuesit, Berisha u shpreh se shkolla e drejtorëve dhe portali mësues për Shqipërinë sollën edhe rrokullimën e sistemit arsimor në vend”.
“Në këtë regjim, diktaturë të dytë, arsimi ka qenë dhe viktima më tragjike e tij. Mësuesit u degraduan, u zëvendësuan me patronazhistë. Rrogat e tyre në vend që të ndiqnin trendin sot nuk kanë të kompensuar as gjysmën e inflacionit 12-vjeçar. Një shkollë drejtorash, si shkollë partie. Një portal që quhet ‘Mësues për Partinë’. Të gjitha këto së bashku, sollën rrokullimën e madhe të sistemit jetik, më të rëndësishëm për një komb, në rrugën e tij drejt përparimit, progresit”, tha Berisha.
Sipas Berishës gjatë viteve të qeverisjes së Ramës janë mbyllur 760 shkolla dhe numri i studentëve ka rënë me mbi 60 mijë.
“Çfarë ndodhi këto vite? Këto vite janë mbyllur 760 shkolla. Këto vite numri i studentëve ka rënë me mbi 60 mijë. Këto vite është regjistruar ajo që ndofta nuk është regjistruar asnjëherë në historinë tonë mijëravjeçare. Një qytet, një qendër e banuar si Kolonja, si Erseka, ka patur në vitin 2023 vetëm një lindje. Në vitin 2030, në klasën e parë të këtij qyteti ulet vetëm 1 vogëlush”, tha Berisha.
Lideri i opozitës u ndal edhe te shpopullimi, duke akuzuar kryeministrin Rama që e ka patur mision të tij shkatërrimin e kombit.
“Kombi nuk është goditur kurrë në materien e tij, në qenien e tij nga asnjë pushtim, nga asnjë pushtues, nga asnjë fatkeqësi natyrore, nga asnjë luftë, siç është goditur këto 12 vite të qeverisjes së një njeriu, i cili ka patur mision shkatërrimin e këtij kombi. Ka patur si mision dhe ka, shkatërrimin e këtij kombi. Edi Rama përbën ndofta antishqiptarin më të zi të historisë”. /korrieri