
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është më pranë se kurrë integrimit në Bashkimin Europian, ndërsa theksoi se proceset reformuese po ecin me ritme të shpejta. Gjatë një takimi të Komitetit të Politikës së Jashtme të Internacionales Socialiste, Rama u shpreh se për herë të parë që prej daljes nga diktatura, vendi po sheh mundësi të qarta për anëtarësim në BE.
“Jemi bekuar që kemi lindur në zemër të Europës, por njëkohësisht ishim të mallkuar sepse ishim të shkëputur prej saj për një kohë të gjatë. Sot, për herë të parë, yjet janë radhitur si duhet dhe Shqipëria ka shanse reale për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian,” deklaroi Rama.
Ai vlerësoi reformat në drejtësi, duke theksuar se shteti shqiptar ka kaluar procesin e ndëshkimit nga pushteti ekzekutiv te drejtësia e pavarur. Rama e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së barazisë para ligjit.
“Është e dhimbshme të shohësh njerëz që i njeh prej kohësh të dalin para drejtësisë, por ky është një proces i nevojshëm për të forcuar sundimin e ligjit. Sot, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, njerëz të fuqishëm, qoftë nga qeveria apo opozita, japin llogari para drejtësisë,” tha ai.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm që kryeministri përmendi ishte përdorimi i inteligjencës artificiale në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, duke e cilësuar si një model të suksesshëm bashkëpunimi me Mira Muratin, eksperten shqiptare të AI.
Në takim morën pjesë përfaqësues të lartë të Internacionales Socialiste dhe partive simotra europiane, me fokus vizionin PS2030 dhe integrimin e Shqipërisë në BE./korrieri