
Asociacioni për Gazetarët Shqiptarë (AGSH) ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen si antikushtetues të vendimit të qeverisë për mbylljen e platformës TikTok në Shqipëri.
Në një deklaratë për mediat para Gjykatës Kushtetuese, kreu i AGSH, Isa Myzyraj, u shpreh se ky vendim krijon një precedent të rrezikshëm, i cili mund të çojë në kufizime të tjera të lirisë së shprehjes dhe qasjes në internet.
“Nuk mund të shkohet drejt censurës së plotë dhe mbylljes së rrjeteve sociale. Ky vendim cenon lirinë e shprehjes dhe të drejtën ekonomike të qytetarëve shqiptarë. Besojmë se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk do ta legjitimojnë këtë vendim, pasi ai mund të hapë rrugën për kufizime edhe më të rënda në të ardhmen,” tha Myzyraj.
Sipas AGSH, vendimi për mbylljen e TikTok prek jo vetëm përdoruesit individualë, por edhe bizneset dhe krijuesit e përmbajtjes, të cilët e përdorin platformën për qëllime profesionale dhe ekonomike. Asociacioni kërkon shfuqizimin e vendimit dhe mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë. /korrieri