
Natën e Krishtlindjes, me 25 dhjetor 2024, në zyrat e kompanisë telefonike ONE në zonën e Laprakës hyjnë dy persona të maskuar. Burimet thonë se ata kishin leva në duar dhe shkatërruan disa kompjutera. Ngjarja, e cila do të duhet të kishte vënë në alarm policinë, nuk u raportua pranë institucioneve, as nga kompania ONE dhe as nga punonjësit e kompanisë së sigurimit.
Vetëm dje, pas rrjedhjes së një fotoje në media, policia nisi hetimet dhe pranoi se fakti kishte ndodhur dhe se ka nisur hetimet.
“Pas marrjes së informacionit për një ngjarje të ndodhur dhe të paraportuar, janë kryer veprime verifikuese dhe hetimore, të cilat çuan në konstatimin e kësaj ngjarjeje, e ndodhur më datë 25.12.2024, në ambientet e një kompanie telefonike, në zonën e Laprakës”, tha policia.
Nga hetimet paraprake rezultoi se rreth orës 02:30 të datës 25 dhjetor, dy shtetas të maskuar kanë hyrë në ambientet e kësaj kompanie, duke dëmtuar drynin e derës së pasme.
“Ngjarja është konstatuar nga punonjësi i sigurisë së brendshme i kësaj kompanie, shtetasi Gentian Koci, i cili, në deklarimin e tij, ka pohuar se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gentian Koci – thekoshet në njoftim – nuk ka njoftuar policinë për ngjarjen, por dyshohet se ka nformuar vetëm drejtuesin teknik dhe punonjësit e grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë. “Është konstatuar se edhe përfaqësues të kompanisë telefonike kanë qenë në dijeni të ngjarjes, por nuk e kanë kallëzuar atë”, theksoi policia e Tiranës.
Gentian Koçi, 50 vjec punonjës i sigurise fizike kompania ONE, Arsil Feshti, 31 vjec detyrë punonjës sigurie i brendshem kompania ONE, si dhe Erald Sina, me detyrë Drejtues Departamenti i Zyrave dhe Pasurisë në kompaninë ONE po hetohen për “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Për moskallëzim krimi po hetohen edhe Alfred Zylalaj, me detyrë drejtues Teknik i Kompanisë Nazeri 2000, Gëzim Sala, Koço Veneti, Myzafer Dinoshi dhe Ismet Tatari, punonjës shërbimi SHPSF Nazeri 2000.
Kjo ngjarje ndoshta nuk do të ngjallte kaq shumë interes, nëse kompania ONE nuk do të kishte marrëdhënie biznesi me Arbër Veliajn, vëllain e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku ky i fundit po hetohet për korrupsion e pastrim parash.
“Nga hetimet rezulton se klienti kryesor i “Gogël” shpk është “One Albania” me një total shitjes që arrin në 551,639,924 lekë (deri më datë 5 qershor 2024. Nga ana tjetër, nga hetimet evidentohet se kompania “One Albania” ka marrë pjesë në disa procedura prokurimi public dhe ka arritur të shpallet fituese në disa prej tyre, duke bashkëpunuar kryesisht me qeverisjen vendore Tiranëm, përfshirë këtu tendering me objekt “shërbimi i infrastrukturës së dedukuar optike dhe shërbimeve data”. Për këtë tender kompania është shpallur fituese me datë 14 tetor 2024. Një tjetër tender i rëndësishëm ka qenë ofrimi i shërbimeve online për monitorimin e trafikut urban në Bashkinë Tiranë, rezultoi me nënshkrimin e kontratës me 1 nëntor 2024”, thuhet në dosjen ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.
Pikërisht ky moment, ngre dyshime se sulmi mund të lidhet me cështjen Veliaj. Pyetjet që shtrohen janë të shumta. Përse ngjarja u fsheh? Kush urdhëroi të mos raportohej? Cfarë provash mund të jenë dëmtuar apo shkatërruar? A po heton SPAK për këtë cështje dhe a ka qenë më dijeni më herët sesa të njoftonte zyrtarisht policia? /vna