
Mjekësia shqiptare humbi një nga profesionistët e saj të përkushtuar. Urdhri i Mjekut Durrës njofton me dhimbje të thellë ndarjen nga jeta të Dr. Niko Durrit, në moshën 54-vjeçare.
Një humbje e rëndë jo vetëm për familjen e tij, por edhe për komunitetin e bluzave të bardha, të cilët e njohën dhe e vlerësuan për përkushtimin e tij në shërbimin ndaj pacientëve.
Dr. Niko Durri ishte një figurë e rëndësishme në fushën e Ortopedisë-Traumatologjisë në Spitalin Rajonal të Durrësit. I lindur në Tiranë në vitin 1971, ai përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1997, duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera si mjek i përgjithshëm. Më pas, ai ndoqi specializimin për Ortopedi-Traumatologji në Universitetin e Mjekësisë “Carol Davila” në Bukuresht, Rumani.
Pas specializimit, nisi karrierën si mjek ortoped-traumatolog në spitalin e Beratit, ku punoi deri në vitin 2005. Më pas, për një vit tjetër, ushtroi profesionin e tij në spitalin e Lushnjës, derisa në vitin 2006 u emërua në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku shërbeu me përkushtim deri në ditën e fundit.
Gjatë karrierës së tij, Dr. Niko Durri u njoh për profesionalizmin, kulturën dhe humanizmin e tij, duke fituar respektin e kolegëve dhe dashurinë e pacientëve. Për shumë vite, ai u bë një figurë e rëndësishme e shëndetësisë në Durrës, duke dhënë një kontribut të çmuar në fushën e ortopedisë dhe traumatologjisë.
Urdhri i Mjekut Durrës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan Dr. Niko Durrin. /korrieri