
Si u fsheh skandali i mishit të pulës me salmonelë, Mond Goxha mori fonde nga IPARD me kompaninë AMG Food
Një skandal i rëndë ka tronditur sektorin ushqimor në Shqipëri, duke përfshirë Portin e Durrësit dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU).
Sipas burimeve mediatike, një sasi prej mbi 18 ton fileto pule e importuar nga Brazili ka rezultuar e kontaminuar me salmonelë. Nga kjo sasi, 13.1 ton janë hedhur në treg dhe konsumuar nga qytetarët, ndërsa 5.2 ton janë bllokuar nga AKU.
AKU pranoi publikisht skandalin vetëm pas ndërhyrjes së prokurorisë, por fshehu detaje thelbësore, si identiteti i kompanisë përgjegjëse për shpërndarjen e mishit të kontaminuar.
Sipas burimeve, kompania në fjalë është “AMG FOOD“, e njohur me emrin tregtar “diMal”, e cila është në pronësi të Mondi Goxhës. Për më tepër, kompania ka qenë përfituese e fondeve IPARD në vitin 2019 për ndërtimin e një fabrike moderne për përpunimin dhe magazinimin e mishit në Kashar, Tiranë.
Fshehja nga AKU dhe Mungesa e Transparencës
Inspektorët e AKU-së, të cilët kryen procedurat standarde në pikën doganore, duhej të kishin ndaluar shpërndarjen e mishit deri në daljen e analizave. Megjithatë, në kundërshtim me rregullat, produkti u hodh në treg përpara përfundimit të testeve. Përgjigjet e analizave konfirmuan praninë e salmonelës pesë ditë më vonë, por deri atëherë një pjesë e madhe e mishit ishte konsumuar.

AKU nuk e bëri publik emrin e kompanisë përgjegjëse, duke shmangur transparencën dhe duke mos informuar qytetarët për rrezikun e mundshëm. Vetëm pas ndërhyrjes së prokurorisë dhe nisjes së një procedimi penal, AKU lëshoi një komunikatë të shkurtër për shtyp, e cila nuk përmbante emrat e subjekteve të përfshira.
Ndërkohë që mish i kontaminuar me salmonelë ka hyrë në tregun shqiptar, kompania “diMal” ka përfituar nga fondet IPARD për ndërtimin e një fabrike moderne, e prezantuar nga ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, si një model i sigurisë ushqimore. Gjatë një vizite në vitin 2019, Krifca e vlerësoi këtë investim si një hap të madh për industrinë e përpunimit të mishit në Shqipëri. /korrieri