
Administratori i kompanisë DIMAL (AMG Food) është shpallur në kërkim, ndërsa vëllai i tij dhe tre inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) janë proceduar penalisht, pas një hetimi të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Sipas autoriteteve, shtetasi A. G., 50 vjeç, në cilësinë e administratorit të një kompanie private, së bashku me vëllain e tij Mond Gaxho (pronari), 53 vjeç, kanë importuar në Shqipëri produkte ushqimore që, pas analizave laboratorike, rezultuan të kontaminuara me bakterin e salmonelës. Për këtë arsye, ndaj A. G. është lëshuar urdhër kërkimi, ndërsa vëllai i tij është proceduar penalisht.
Gjithashtu, për këtë rast janë proceduar penalisht edhe tre inspektorë të AKU-së, G. H., 38 vjeç, S. L., 42 vjeçe dhe A. S., 46 vjeç, të cilët, me veprimet apo mosveprimet e tyre, kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve të rrezikshme për shëndetin publik.
Administratori i kompanisë dhe vëllai i tij përballen me akuzën për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, ndërsa tre inspektorët e AKU-së akuzohen për “Shpërdorim detyre”.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme./korrieri