
Gruaja e Altin Hajri merr leje për kullë në Durrës, Valentina Hajri , pronare e Pjeza 2022 do të ndërtojë pallatin gjigant
Valentina Hajri, bashkëshortja e Altin Hajrit, ka marrë leje ndërtimi për një pallat në Durrës përmes kompanisë “Pjeza 2022” sh.p.k., të cilën ajo e zotëron në masën 100%. Vendimi për dhënien e lejes është marrë nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit më 26 mars 2025, dhe parashikon ndërtimin e një godine banimi dhe shërbimi me 18 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania “Pjeza 2022” është themeluar në tetor 2022 dhe ka aktivitet të regjistruar në fusha të ndryshme, përfshirë bar-kafe, restorante, hoteleri-turizëm dhe ndërtim. Në bilancin e saj të vitit 2023, kompania ka rezultuar me një fitim rreth 480 mijë euro. Megjithatë, më 22 janar 2025, Valentina Hajri ka depozituar në QKB një vendim për pezullimin e aktivitetit të kompanisë me një afat të pacaktuar.

Altin Hajri është një emër i njohur për organet ligjzbatuese dhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ai është në kërkim për përfshirje në disa ngjarje kriminale, ndërsa në të kaluarën ka qenë i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës në janar 2020. Për këtë çështje, fillimisht ai u dënua me 7 vite burg, por më pas u shpall i pafajshëm nga Apeli.
Përveç kësaj, Hajri është përmendur në hetime për trafik heroine dhe ngjarje të tjera kriminale, por ka arritur t’i shmanget ndëshkimit ligjor. Resorti i tij “Golden” ishte ndër objektet e bllokuara nga Operacioni Forca e Ligjit (OFL), por më vonë u hoq sekuestrimi nga gjykata.
Një tjetër aspekt i dosjes së tij lidhet me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Ergys Çyrbja, i cili dyshohet se e ka strehuar në banesën e tij në një periudhë kur Hajri ishte në kërkim policor.
Në shkurt 2020, Valentina Hajri ka dëshmuar përpara autoriteteve lidhur me bashkëshortin e saj, duke deklaruar se nuk kishte dijeni për vendndodhjen e tij dhe se kur ai kthehej në shtëpi, komunikonte vetëm për çështje familjare. Ajo ka mohuar gjithashtu që Altini të kishte automjet dhe ka thënë se resorti “Golden” menaxhohej nga vjehrra e saj.
Pavarësisht historisë ligjore të Altin Hajrit dhe akuzave ndaj tij, bashkëshortja e tij ka marrë tashmë një leje ndërtimi për një pallat në Durrës, një vendim i cili ka ngjallur vëmendje për shkak të kontekstit të tij. /korrieri