
Mikrokreditë, BSH i heq licencën kompanisë Platinium Investment , lidhja me Bashkim Ulaj
Banka e Shqipërisë ka hequr licencën e operimit për kompaninë PLATINIUM INVESTMENT SH.P.K. në pronësi të Andri Kasnecit.
Gazeta Jonë raporton se vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, i cili ka vendosur që të revokojë licencën nr. 25, datë 26.06.2012, dhënë atëhere me objekt ushtrimin e aktivitetit si “institucion finaciar jo-bankë” në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Kompania e cila më parë ka qenë në pronësi të Bashkim Ulajt, i cili ia transferoi më pas njeriut të tij të besuar, Andri Kasneci në vitin 2015, ushtron aktivitetin në sektorin e dhënies së mikrokredive.
Ky sektor është tronditur gjatë viteve të fundit për shkak të skandalit të MCA dhe Final, të cilët zhvatën pronat dhe kursimet e mijëra shqiptarëve përmes formave mafioze të kurtheve ligjore dhe financiare. Më herët, BSH i hoqi licencën pikërisht MCA dhe Final për këto praktika të ndaluara and anti-ligjore.
Ndërkohë vendimi nr. 1333 i Bankës së Shqipërisë është i fundit i kësaj natyre në drejtim të heqjes së licencës për kompanitë që ushtrojnë aktivitetin si jo-bankë.