
Shtetasi Dodë Gjoka, 35 vjeç, është liruar pasi u mor peng në mesditën e sotme në aksin rrugor Lezhë-Laç. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:30, në vendparkimin e një lokali, ku tre persona e dhunuan fizikisht dhe më pas e futën me forcë në një automjet.
Pas marrjes së njoftimit, Policia e Lezhës ngriti disa pika kontrolli dhe vendosi postblloqe në akset kryesore lidhëse drejt Tiranës, Shkodrës dhe Kukësit për të ndaluar autorët, të cilët u identifikuan si K. P., B. V. dhe Xh. E., të tre banues në fshatin Tresh. Nën presionin e ndjekjes policore, autorët e liruan Gjokën pranë rrugës dhe u larguan. Aktualisht, ai po merr trajtim mjekësor në spitalin e Lezhës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të zbardhur motivet e ngjarjes, ndërkohë që dyshohet se pengmarrja lidhet me një konflikt të mëparshëm mes palëve.
E Kaluara Kriminale e Dodë Gjokës
Dodë Gjoka nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Në vitin 2017, ai u arrestua për vendosjen e një gjobe prej 25 mijë euro ndaj një biznesmeni, duke e kërcënuar se do t’i vriste djalin nëse nuk paguante shumën. Në atë kohë, policia organizoi një operacion të koordinuar dhe e arrestoi së bashku me bashkëpunëtorin e tij, shtetasin L. Ç. nga Shkodra, në momentin kur po merrnin paratë nga viktima në fshatin Malecaj të Lezhës.
Gjatë operacionit, u sekuestruan 25 mijë euro, dylbi, telefona celularë dhe automjeti i përdorur nga autorët. Hetimet zbuluan se biznesmeni kishte pasur konflikte pronësore dhe se Gjoka, bashkë me të tjerë, ishte angazhuar për të rikuperuar një borxh të pretenduar. Një nga bashkëpunëtorët e tij kishte pasur më parë një dënim për tentativë vrasjeje.
Aktualisht, Policia e Lezhës po vijon kërkimet për kapjen e tre personave të përfshirë në pengmarrjen e sotme, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes./korrieri