
Një tjetër stadium me kullë dhe zhdukja e parkut bashkë me fushën e futbollit pranë tij. Këto janë projektet e prezantuara këtë të premte para kryeministrit Rama, në kuadër të garës për rijetëzimin e stadiumit “Selman Stërmasi”, ish-Dinamo, dhe zonës përreth tij. Në fazën finale të garës janë përzgjedhur pesë studio, nga të cilat tre do të kalojnë më tej, ndërsa njëri prej tyre do të shpallet fitues.
Korporata e Investimeve Shqiptare e hapi zyrtarisht garën për rindërtimin e stadiumit në fillim të këtij viti.
Investimi parashikohet të realizohet sipas modelit të “Arenës Kombëtare”, ku Korporata dhe Bashkia e Tiranës vënë në dispozicion pronën që zotërojnë, ndërsa investitorët, në këmbim të ndërtimit të kullave, marrin përsipër edhe rinovimin e stadiumit. Por, nga fotot e projekteve të paraqitura, duket se një pjesë e aneksit sportiv para stadiumit, e cila ka shërbyer si fushë futbolli, do të zhduket./korrieri