
Në një kohë kur tregjet shqiptare janë mbushur me ushqime të rrezikshme – që nga pula me salmonelë, tek mandarinat me helme e deri te akulloret me lëndë kancerogjene – përgjegjësia duhet të ishte politike dhe penale. Por ajo mbetet një rotacion i zakonshëm zyrtarësh. Drejtori i AKU Tiranë, Fatjon Pasholli, është larguar nga detyra, si një reagim i vonuar ndaj skandaleve të përsëritura që kanë vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve.
Ndërkohë, ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, vazhdon të qëndrojë në detyrë, ndonëse është pikërisht institucioni që ajo drejton – dhe që ka nën varësi Autoritetin Kombëtar të Ushqimit – që duhet të garantojë sigurinë e ushqimeve për konsumatorët shqiptarë. Ligjërisht dhe moralisht, është ajo që mban përgjegjësinë për këtë situatë alarmante.
Vetëm disa javë më parë, Shqipëria u përball me shpërthimin e gripit të shpendëve, që rezultoi në ngordhjen e afro 500 mijë pulave. Pasojë direkte e kësaj katastrofe ishte rritja me 35% e çmimit të vezëve, ndërkohë që askush nuk dha llogari për mungesën e kontrollit dhe menaxhimit të situatës.
Skandali nuk është vetëm tek produktet e pakontrolluara, por edhe tek qëndrimi arrogant dhe i pashqetësuar i ministres Denaj. Në një video që u bë virale, ajo shfaqej duke buzëqeshur ndërsa pyetej për mishin e kontaminuar me salmonelë – një sjellje që tregon qartë se siguria ushqimore për të është çështje PR-i dhe jo një emergjencë kombëtare.
Në vend të mbrojtjes së shëndetit publik, kemi një ministre që e ka kthyer AKU-në në një institucion pa peshë reale, të zhytur në heshtje e dështim. Shkarkimi i Pashollit është thjesht një përpjekje për të shpëlarë imazhin e ministres, e cila në çdo vend tjetër demokratik, do të kishte dhënë dorëheqjen prej kohësh.
Në një vend ku përballë shkeljes së ligjit nuk ndëshkohet askush, qytetarët duket se mund të mbrohen vetëm nga Zoti. /korrieri