
Studioja arkitekturore franceze l’Auc u vlerësua fituese e konkursit ndërkombëtar për zhvillimin e një nga zonave më të lakmuara në qendër të Tiranës, aty ku më parë ishte cirku. Ajo fitoi garën ku morën pjesë në total 6 studio të njohura edhe nga shtete të tjera.
Siç raportoi më herët Korrieri, të gjitha studiot kishin një të përbashkët që i bashkonte, kullat, dikush me majë, dikush pa, dikush me pemë rrotull, një tjetër me më pak, por kullat aty do të jenë, “një cirk” plot me kulla.
Në finale fitoi projekti që parashikonte ndërtimin e kullës më të lartë në vend. Vetë arkitektët në prezantim, bënë me dije se projekti bën fjalë për ndërtimin e kullës më të lartë në vend, në një ndërthurje mes historisë dhe modernitetit.
Sipas jurisë, detaji më i veçantë i projektit ishte pjesa “Piano Nobile”, e cila do të jetë një hapësirë që do të zhvillojë edhe më tepër turizmin në kryeqytet.
L’AUC u përzgjodh nga gara ndërkombëtare ndërmjet 6 studiove prestigjioze të arkitekturës, të cilat prezantuan sot projektet, përkatësisht: COBE, Danimarkë; GO HASEGAWA & Assiciates, Japoni; GROUPWORK, Britani e Madhe; NIETO SOBEJANO, Spanjë; ARCHEA Associati, Itali. /korrieri