
Procedimet për mashtrim në kredi dhe sigurime u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2024, duke shënuar një rikthim pas rënieve të dy viteve të mëparshme. Sipas të dhënave zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, mashtrimi në kredi u procedua penalisht në 29 raste vitin e kaluar, krahasuar me vetëm 13 raste të regjistruara në vitin 2023.
Kjo rritje reflektohet edhe në peshën specifike që zë kjo vepër penale në totalin e mashtrimeve: nga 2.25% në vitin 2023 në 4.96% gjatë vitit 2024. Megjithatë, numri i personave të dënuar për këtë vepër penale mbeti i pandryshuar – nëntë persona si në vitin 2023, ashtu edhe në vitin 2024.
Mashtrimi në kredi përkufizohet në nenin 146 të Kodit Penal si mashtrim përmes dokumenteve të falsifikuara për të përfituar kredi, duke regjistruar në mënyrë fiktive pasuri të paluajtshme që nuk ekzistojnë, apo që nuk janë në pronësi të huamarrësit, me qëllim shmangien e kthimit të kredisë. Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose burgim deri në shtatë vjet.
Një nga format më të përhapura të këtij mashtrimi ka qenë aplikimi për kredi bankare me dokumente të falsifikuara ose duke përdorur identitetin e personave të tjerë, çka ka ngritur shqetësim për institucionet financiare, përfshirë edhe rrezikun reputacional që mbartin raste të tilla.
Po ashtu, është vënë re një rritje edhe e procedimeve për mashtrimin në sigurime. Në vitin 2024, Prokuroria ka regjistruar 20 raste, krahasuar me 13 raste në vitin 2023. Edhe këtu, pesha specifike është rritur – nga 2.25% në 3.42%.
Shtatë persona u dënuan për mashtrim në sigurime gjatë vitit 2024, një më shumë se në vitin 2023. Kjo vepër, sipas nenit 145 të Kodit Penal, përfshin paraqitjen e rrethanave të rreme mbi objektin e siguruar apo inskenimin e ngjarjeve për të përfituar në mënyrë të padrejtë dëmshpërblime. Dënimi për këtë vepër shkon deri në pesë vjet burg ose gjobë.
Mashtrimi në sigurime përfshin kryesisht manipulimin e fakteve në rast aksidentesh, dëmtimesh të pronës apo situatave të tjera që përfshihen në kontratat e sigurimit, duke synuar përfitime të pajustifikuara nga kompanitë e sigurimeve.
Të dhënat e vitit 2024 sinjalizojnë nevojën për masa më të forta kontrolli dhe parandalimi nga institucionet financiare dhe siguruesit, në një kohë kur veprat penale të mashtrimit po diversifikohen dhe sofistikohen gjithnjë e më shumë./korrieri