
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë nisur një operacion të gjerë këtë të Enjte, duke ushtruar kontrolle në zyrat e një biznesi të madh në Elbasan, i njohur në fushën e ndërtimit dhe më gjerë. Hetimi ka filluar që në orën 06:30, kur agjentët kanë zbarkuar në qytet dhe kanë sekuestruar celularët e punonjësve pas hapjes së zyrave.
Me urdhër të prokurorit, janë realizuar kontrolle të detajuara, ku janë sekuestruar dosje, kompjutera dhe celularë të kompanisë, e cila është nën hetim për lidhje me skandale korrupsioni, kryesisht në disa bashki të Qarkut të Elbasanit. Hetimi ka të bëjë me dyshime për përfitime të paligjshme të tenderëve nga këto bashki.
Prokuroria e Posaçme po zhvillon hetime të mëtejshme për disa kompani të fuqishme ndërtimi, jo vetëm në Elbasan, por edhe në Tiranë dhe Durrës. Agjentët e BKH-së, të mbështetur nga forca policore, kanë vijuar kontrollin në këto subjekte biznesi të dyshuara për shkelje të ligjit. /korrieri