
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me turoperatorët, hotelierë dhe profesionistë të turizmit në Durrës, ka deklaruar se ekziston një projekt i ri për qytetin bregdetar, ndërtimi i një “territori të ri brenda në det”.
Rama nuk dha shumë detaje mbi këtë projekt, por i bëri thirrje sipërmarrësve që çdo ndërtesë e re hotelerie që do të ngrihet duhet të jetë e bazuar në cilësi, pasi tashmë shtresa për të cilën synohet të tërhiqet në Durrës për turizëm, ka nevojë të paguajë për të bukurën dhe standarde të larta.
Ai u shpreh ndër të tjera se aktualisht është koka për cilësi dhe jo për sasi, duke kërkuar që të rritet cilësia e shërbimit.
Rama theksoi se Shqipëria tashmë duhet të synojë ata turistë që konsumojnë më shumë.
“Nuk është më koha e sasisë, por e cilësisë. Nuk është më koha e hedhjes së parave kuturu, por është koha që çdo qindarkë të investuar ta investojë në cilësi sektori privat, në cilësinë e shërbimeve. Ne nuk duhet të rrisim numrat pafundësisht, por të rrisim numrin e turistëve që konsumojnë më shumë”, u shpreh Rama.
Po kështu, kreu i qeverisë deklaroi se për këtë arsye, po punohet për zgjerimin e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit si dhe të porteve të tjera turistike në vend.
“Kemi një projekt shumë ambicioz, që urojmë ta çojmë përpara me një grup shumë të madh investitorësh, që për herë të parë do provojnë krijimin e një territori brenda në det. Të gjitha këto rrisin vlerën e këtij plazhi, e gjithë investimeve që keni bërë ju, e rrisin vlerën e çdo investimi tjetër që bëhet.
Për këtë arsye dua të theksoj faktin se kemi parë me vëmendje projektet e reja, ka projekte shumë të bukura, e unë do ju inkurajoja që çdo tullë, çdo tullë, që do vini duhet ta mendoni mirë e ta vini me cilësi siç thash, sepse tani gjërat e reja që ndërtohen këtu, duhet të synojnë turistë që vijnë e që paguajnë dhomën më shumë, paguajnë qëndrimin më shumë. Ata kanë nevojë për disa kushte të tjera. Gjithë këto hotele që janë ndërtuar i përgjigjen një lloj shtrese, e shumë mirë se kjo është shtresa bazë, por duhet të ndërtojmë infrastrukturën që i përgjigjen shtresës tjetër.
E për këtë arsye po punojmë për zgjerimin e aeroportit të Rinasit. Për këtë arsye po punojmë dhe për portet e tjera turistike e kështu me radhë”, tha Rama. /korrieri