
Me në fund drejtësi për ish-nusen e Natashës: Prokuroria kërkon 2 vite burg për gjyshen që ekspozoi nipin në TikTok
Saga e bujshme që ka mbajtur të mbërthyer opinionin publik për vite me radhë – konflikti mes Natashës dhe ish-nuses së djalit të saj – ka hyrë në një fazë të re dramatike. Pas një varg seancash gjyqësore, përplasjeve publike në TikTok dhe debateve për kujdestarinë e një të mituri, Prokuroria e Beratit ka kërkuar 2 vite burg për Natasha Rombulën, gjyshen që u kthye në një “fenomen rrjetesh”, por që akuzohet se ka abuzuar psikologjikisht nipin e saj.
Drejtësia për Eglantinën – nusen që ngriti zërin
Eglantina, ish-bashkëshortja e djalit të Natashës, është rikthyer në vëmendje si gruaja që ngriti zërin për mbrojtjen e të birit 10-vjeçar, duke sfiduar hapur një realitet toksik të krijuar në emër të “fames në rrjete sociale”. Konflikti i tyre ishte shndërruar në një sherr të ndjekur masivisht nga shqiptarët, falë edhe pranisë së vazhdueshme të Natashës në TikTok ku ajo shfaqej me lojëra, sfida, ofendime dhe dënime publike, në prani edhe të nipit të saj të mitur.
Akuzat tronditëse: presion psikologjik, dhunë verbale dhe ekspozim i miturit në rrjet
Sipas Prokurorisë, Natasha Rombula dhe djali i saj, Armando Kumaraku, janë bashkëpërgjegjës për një formë të re abuzimi – atë digjital dhe psikologjik, ku fëmija është përdorur si “instrument famë” në TikTok dhe YouTube. Fjalor denigrues, urdhra për të sharë njerëz që ofendonin gjyshen, gjuhë e dhunshme dhe një presion i vazhdueshëm emocional janë disa nga elementët që sipas dosjes kanë ndikuar në çrregullime serioze psikologjike te i mituri.
Prokuroria kërkon 3 vite burg për babain dhe heqjen e të drejtës prindërore, si dhe 2 vite burg për Natashën, që konsiderohet bashkëpunëtore aktive në ekspozimin dhe keqtrajtimin emocional të nipit.
Një video që tronditi Shqipërinë
Një nga momentet më të rënda është dokumentuar në një video që u bë virale, ku djali 10-vjeçar, i nxitur nga gjyshja, i përgjigjet me sharje një komentuesi në TikTok. Ishte pikërisht kjo video që çoi në një kallëzim zyrtar nga e ëma e fëmijës, Eglantina, e cila vendosi të mos heshtte më dhe kërkoi ndërhyrjen e shtetit.
Nga TikTok në gjykatë
Ish-mësuesja që u kthye në yll “live”-sh në TikTok, është tani përballë drejtësisë. Komunikimet e saj me ndjekësit, ku përfshinte edhe nipin, janë kthyer në prova të një sjelljeje të dënueshme dhe të rrezikshme për mirërritjen e një fëmije.
Prokuroria e Beratit thotë se janë mbledhur prova të mjaftueshme për të vërtetuar dhunën psikologjike, presionin dhe ekspozimin e fëmijës pa miratimin e nënës.
Fundi i një sage apo fillimi i drejtësisë?
Rasti i Natashës dhe nuses së saj është bërë një simbol i përplasjes mes rrjeteve sociale dhe realitetit të dhimbshëm të shumë familjeve shqiptare. Ky proces gjyqësor mund të jetë një sinjal i rëndësishëm për të gjithë ata që e përdorin “live”-n për të keqpërdorur të miturit – dhe një ngushëllim për Eglantinën, e cila luftoi për të mbrojtur djalin e saj nga një jetë përballë kamerës, por larg çdo ndjeshmërie prindërore. /Korrieri