
Këshilltari amerikan i fushatës së Sali Berishës, Chris LaCivita, ka deklaruar në një intervistë për emisionin “Opinion” se ai nuk përfaqëson qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe nuk mund të komentojë vendimet e Departamentit Amerikan të Shtetit.
I pyetur lidhur me shpalljen “non grata” të Berishës nga DASH dhe nëse ai e konsideron këtë vendim si të marrë nga një administratë e korruptuar, LaCivita tha:
“Nuk flas në emrin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, nuk mund të flas në emër të Departamentit të Shtetit. Jam këtu për t’u siguruar që konservatorët dhe Partia Demokratike do të kenë mundësinë të sfidojnë 12 vitet e dështimit të Edi Ramës. Këto gjëra do të zgjidhen me kalimin e kohës.”
Deklarata e tij vjen në një moment kur opozita shqiptare është në përpjekje për të mobilizuar mbështetësit e saj me idenë se statusi “non grata” i Berishës mund të rishqyrtohet. Megjithatë, LaCivita e bëri të qartë se fokusi i tij është fushata politike dhe jo çështjet diplomatike. /korrieri