
Tiranë – Katër persona, mes tyre dy të mitur, kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e së enjtes në zonën e Lundrës, në periferi të Tiranës, pas një ngjarjeje që dyshohet të jetë shkaktuar nga përdorimi i armëve të zjarrit.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë, rreth orës 21:50, në spitalin e Traumës janë paraqitur të plagosur shtetasit A. S., 34 vjeç, K. M., 19 vjeç, si dhe dy të mitur të moshës rreth 11 dhe 17 vjeç. Ende nuk dihet nëse viktimat janë pjesë e të njëjtit grup apo janë kapur rastësisht nga të shtënat.
Grupi hetimor është ngritur dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon puna intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Autoritetet janë duke sekuestruar provat që do të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Policia njofton se do të ketë informacion të mëtejshëm pas sqarimit të plotë të rastit. Kjo ngjarje vjen në një klimë të tensionuar të sigurisë, vetëm pak orë pas një atentati me pasoja fatale në Lezhë./korrieri