
Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i mbrëmjes së sotme në Tiranë, ku një automjet i kompanisë së sigurisë private, “Pelikani Security” është qëlluar me armë zjarri teksa ishte në lëvizje.
Mësohet se autorët kanë ndjekur mjetin nga rrethrrotullimi i Shkozës dhe kanë hapur zjarr në drejtim të tij gjatë ndjekjes.
Dyshohet se drejtuesi i mjetit që u qëllua ka humbur ndjenjat dhe makina është përplasur.
Makina ku ndodheshin te plagosurit
Menjëherë pas sulmit, autorët dyshohet se janë larguar me shpejtësi dhe më pas kanë djegur automjetin e përdorur në zonën e Lundrës, në një përpjekje për të humbur gjurmët.
Automjeti i djegur mbante targa AA 040 YV, të cilat janë në proces verifikimi nga autoritetet.
Nga atentati dyshohet se janë plagosur katër persona. Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se kanë mbërritur të plagosur me armë zjarri shtetasit Arens Stafa, 34 vjeç, dhe Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç, të cilët janë dëmtuar në dorë dhe krah. Gjithashtu, në sallën e operacionit janë futur Dior Demiraj, 11 vjeç, dhe Kian Mullahi, 19 vjeç.
Ky i fundit është edhe djali i Elona Mullahi, anëtare e bordit të korporatave në Raiffeisen Bank.
Elona Mullahi
Ndërsa pronari i “Pelikani Security” është Vesel Demiraj.
Një nga të plagosurit, Arenc Stafa, është shofer i familjes Demiraj që jeton në zonë rezidenciale Rolling Hills në Lundër.
Policia tha se është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.