
Rritja e numrit të turistëve në Shqipëri po shoqërohet gjithnjë e më shpesh me problematika që lidhen me sjelljen e tyre. Një incident i rëndë ndodhi dje në qytetin e Krujës, ku një burrë është përplasur nga një automjet me targa të huaja, drejtuar nga turistë turq që po largoheshin me shpejtësi nga parkingu i një restoranti.
Redaksia e “Gazeta Korrieri” është kontaktuar nga të afërmit e personit të përplasur, të cilët hedhin poshtë pretendimin fillestar se ai ka qenë roje parkingu. Sipas tyre, burri i përfshirë në incident ndodhej në vendngjarje për të parkuar makinën e tij, kur ka pasur një debat verbal me turistët duke rezultuar që të përplaset me makinë prej tyre.
“Ato çunat 100% kanë qenë nën efektin e kokainës,” – thotë një familjar për Korrierin. “Para se të ndodhte përplasja, kanë qenë në një lokal tjetër në Krujë, ku kanë thyer banjot e lokalit. Pasi kanë dalë prej andej, janë konfliktuar në parking për një vend parkimi. Në momentin që i afërmi ynë ka kthyer kurrizin, njëri prej tyre e ka marrë përpara me makinë, duke i thyer këmbën.”
Dëshmitë sugjerojnë se situata ka qenë e tensionuar dhe sjellja e turistëve agresive edhe përpara incidentit. “Gazeta Korrieri” ka ndjekur me shqetësim edhe më parë raste të sjelljeve problematike nga turistë në zonat historike dhe kulturore të vendit. /korrieri