
Një punëtor humbi jetën pas rrëzimit nga lartësia teksa ishte duke punuar në kantierin e ndërtimit në aeroportin e Vlorës.
Viktima është Dorian Hasani, 38 vjeç, i cili ishte punonjës i një kompanie ndërtimi që po punon në projektin e aeroportit.
Njoftimi i policisë:
Pas hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, është arrestuar në flagrancë shtetasi D. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, i cili mban detyrën e administratorit të kompanisë së ndërtimit.
Gjithashtu, ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit U. S., 41 vjeç, po nga Tirana, me funksion përgjegjës i punimeve. Sipas Policisë, këta dy persona dyshohet se kanë shkelur detyrimet ligjore për masat e sigurisë në punë, duke sjellë si pasojë vdekjen e punonjësit.
Sakaq, materialet hetimore janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore.
Kujtojmë se, kjo nuk është ngjarja e parë fatale që ndodh në këtë kantier.
Më 17 janar të këtij viti, një tjetër punëtor, Nusret Xhoka 60 vjeç nga Dibra, humbi jetën rreth orës 21:20 pasi u përplas nga një fadromë që po drejtohej nga një koleg i tij, Rrahman Sllamniku nga Prishtina.
Të dy punonin për kompaninë ndërtuese “2A Group”.
Gjatë fazave të ndërtimit të aeroportit janë shënuar edhe incidente të tjera, me disa punëtorë të lënduar, duke ngritur shqetësime serioze mbi respektimin e masave të sigurisë në punë.
Më herët, punonjës të ndryshëm kanë protestuar, madje kanë bllokuar hyrjen e kantierit për shkak të vonesave të rregullta në pagesat e tyre.
Kompania që po realizon ndërtimin e aeroportit është “Mabco Constructions SA”, në pronësi të biznesmenit, Behgjet Pacolli.
Ndërtimi i aeroportit është kundërshtuar gjithashtu nga organizata vendase dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit, të cilat paralajmërojnë se projekti po shkakton dëme të mëdha në zonën e mbrojtur të Lagunës së Vjosë-Nartës dhe ekosistemet e saj të brishta. /korrieri