
Kush janë burrë e grua Ergest dhe Anisa Vrioni , pjesë e dosjes së SPAK që çoi në arrestimin e krerëve të “Rrugores” në Tiranë
Gazeta Korrieri ka siguruar pjesë nga dosja hetimore dhe përgjimet që çuan në pranga disa zyrtarë të Policisë Rrugore të Tiranës, përfshirë emra të njohur si shefi i Komisariatit Rrugor Roven Zeka dhe shefi i OPGJ-ve, Sokol Novaku. Të dy do të dalin për masë sigurie të martën para Gjykatës së Posaçme, ndërsa për Edison Tabakun, oficer i Policisë Gjyqësore, u caktua “arrest me burg” për korrupsion pasiv në bashkëpunim, në vlerën e 2 mijë eurove.
Sipas të dhënave të siguruara nga Korrieri, SPAK po zhvillonte përgjime në kuadër të një hetimi të nisur që në vitin 2023, kur gjatë transkriptimit të komunikimeve u zbuluan biseda për një shumë parash që ishte dhënë për të ndikuar në trajtimin më të lehtë të një rasti aksidenti, ku ishte përfshirë shtetasja Anisa Vrioni.

Sipas dosjes, bashkëshorti i saj, Ergest Vrioni, një emër që nuk figuron në dokumente zyrtare të bizneseve, por që rezulton i përfshirë në prapaskenat e ngjarjes, ka komunikuar me oficerin Tabaku – me të cilin kishte një njohje të hershme – dhe ka dorëzuar shumën prej 2 mijë eurosh, me qëllimin që bashkëshortja e tij të mos arrestohej pas aksidentit.
Çifti Vrioni zotëron tre biznese të njohura në Tiranë, të cilat rezultojnë të regjistruara vetëm në emrin e Anisës, ndërsa Ergesti nuk figuron “në letra”, megjithëse është ai që, sipas SPAK, ka ndërmarrë veprimet për të siguruar ndërhyrjen tek zyrtarët e policisë.
Nga përgjimet telefonike të përfshira në dosje, rezulton se Ergest Vrioni ka kërkuar para nga persona të tretë për t’ia dorëzuar më pas oficerit Tabaku. Sipas SPAK, paratë janë dhënë në orët e vona të natës pranë banesës së policit, dhe për këtë moment ka edhe pamje filmike, tashmë të administruara si provë.
Në aparatin celular të Edison Tabakut janë gjetur biseda me shefat e tij, ku rezulton se ai i ka informuar për situatën. Në një nga mesazhet e shkëmbyera me Sokol Novakun, Tabaku shkruan se “personi ka vetëm një njëshe dhe pret deri nesër, se ka ardhur nga Ksamili dhe është shok”. Shefi i kthen: “OK, mos del keq me shefin”, sipas përmbajtjes së dosjes hetimore.
SPAK nënvizon se të tre zyrtarët e përfshirë në skandalin e korrupsionit ishin transferuar kohët e fundit nga strukturat e Policisë së Elbasanit drejt Tiranës.
Nga kontrolli në banesën e Edison Tabakut, autoritetet kanë sekuestruar 2.5 milion lekë dhe 26 mijë euro, ndërsa shefat e tij kanë mohuar çdo dijeni për veprimet e vartësit. Para agjentëve të BKH-së, ata kanë deklaruar se kanë ndjekur procedurat standarde dhe se rasti i Anisa Vrionit është referuar në prokurori, duke u hetuar në gjendje të lirë.
Aksidenti në fjalë ka ndodhur më 16 prill, ku janë lënduar lehtë pesë persona, të cilët pas trajtimit mjekësor janë larguar në shtëpi.
Hetimet pritet të thellohen për të zbuluar jo vetëm përgjegjësitë penale të zyrtarëve të policisë, por edhe lidhjet e mundshme të biznesit të çiftit Vrioni me strukturat e shtetit./korrieri