
Vdekja e Papës është një ngjarje e jashtëzakonshme për Kishën Katolike, e cila i nënshtrohet një procesi të rreptë dhe të mirëpërcaktuar që lidhet me traditën, ritet dhe rregullat e vendosura ndër shekuj. Por çfarë ndodh saktësisht kur Papa vdes? Kush merr drejtimin e Kishës përkohësisht? Dhe si zgjidhet Papa i ri?
1. Konfirmimi i vdekjes dhe shpallja zyrtare
Sipas traditës, vdekja e Papës konfirmohet nga mjekët dhe njoftohet zyrtarisht nga Camerlengo – një kardinal i ngarkuar me administrimin e Selisë së Shenjtë gjatë “interregnumit” (periudhës pa Papë). Camerlengo kontrollon vdekjen dhe simbolikisht e thërret Papën tri herë me emrin e tij pagëzimi. Pasi nuk ka përgjigje, ai shpall vdekjen.
2. Mbyllja e apartamentit papnor
Pas shpalljes së vdekjes, apartamenti papnor në Vatikan mbyllet dhe vuloset për të mos lejuar manipulime ose ndërhyrje derisa të zgjidhet pasardhësi. Në këtë moment, çdo pushtet që kishte Papa pushon së ekzistuari.
3. Periudha e zisë dhe përgatitja për funeralin
Zia zgjat nëntë ditë (Novemdiales), dhe gjatë kësaj kohe mbahen ceremoni fetare në nder të Papës së ndjerë. Funerali i tij zhvillohet zakonisht brenda 4-6 ditësh pas vdekjes dhe trupi vendoset në Bazilikën e Shën Pjetrit për homazhe publike. Sipas traditës, Papa varroset në kriptën nën bazilikë.
4. Kush drejton Kishën në ndërkohë?
Gjatë periudhës pa Papë, asnjë reformë apo vendim i rëndësishëm nuk mund të merret. Administrimi kalon tek Camerlengo, i cili merret vetëm me çështjet bazë administrative. Të gjitha funksionet papnore janë të pezulluara derisa të zgjidhet Papa i ri.
5. Thirrja e Konklavit
Pas funeralit, brenda një afati prej 15-20 ditësh, thirret Konklavi – mbledhja sekrete e kardinalëve me të drejtë vote (nën 80 vjeç) për të zgjedhur Papën e ri. Ata izolohen në Kapelën Sistine nën masa të rrepta sigurie, pa kontakt me botën e jashtme.
6. Procesi i votimit
Çdo ditë mbahen deri në katër votime (dy në mëngjes dhe dy pasdite). Një kandidat duhet të marrë dy të tretat e votave për t’u zgjedhur Papa i ri. Pas çdo raundi votimi, fletët e votimit digjen. Tym i zi ngrihet nga oxhaku i Kapelës Sistine kur zgjedhja nuk është bërë – një sinjal për botën se procesi vazhdon.
7. Tymi i bardhë: Habemus Papam!
Kur një kandidat zgjidhet, tymi i bardhë ngrihet nga Kapela Sistine. Kardinali që zgjidhet pyetet nëse e pranon detyrën dhe çfarë emri do të marrë. Pastaj, ai prezantohet për herë të parë si Papë nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit me fjalët e famshme: “Habemus Papam” – “Kemi një Papë”.
8. Fillimi i pontifikatit të ri
Menjëherë pas shpalljes, Papa i ri merr përsipër detyrat dhe bëhet kreu shpirtëror i më shumë se 1.3 miliardë katolikëve në mbarë botën. Nuk nevojitet asnjë ceremoni kurorëzimi – ai është Papë sapo e pranon zgjedhjen. PËRGATITI: Gazeta Korrieri