
Pak ditë pas tenderit të uniformave të policisë së shtetit, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur një tjetër tender uniformash, këtë herë për policinë e burgjeve. Vlera limit e fondit është 1,39 miliardë lekë ose 14 milionë euro, pa tvsh, e ndarë në dy lote.
Në dokumentet e tenderit që disponon ekofin.al, janë të specifikuara në mënyrë të detajuar të gjitha kërkesat, si edhe të dizenjuara, si për meshkujt, ashtu edhe për femrat.
Sipas specikifimeve teknike, kërkohen komplete kostumesh, me pantallona, këmishë dhe xhaketë, për meshkuj dhe femra, shoqëruar me kapele dhe këpucë. Uniformat duhen një model për dimër, me mëngë të gjatë dhe një tjetër për verë, me mëngë të shkurtra.

Pjesë e setit duhet të jenë gjithashtu edhe bluzat polo me mëngë të shkurta për verë dhe pulovrat me mëngë të gjata, me jakë V, për dimër, xhuboks, xhup, pelerinë shiu, rrip pantallonash, si edhe dorashka.
Të gjitha uniformat duhet të përmbajnë logot e policisë së burgjeve, si edhe gradat përkatëse, sipas specifikimeve teknike të kërkuara. Gjithashtu ato janë të ndara në uniforma puna dhe uniforma të veçanta operacionale për grupin e sigurisë dhe strukturën e posaçme të burgjeve.

Tenderi i hapur është në formatin e një marrëveshje kuadër, me dy lote, ku vlera e fondit limit total për Lotin I: “Blerje uniforma dhe grada për Policinë e Burgjeve” është 1,196,890,675 lekë pa TVSH, ndërsa loti i dytë “Blerje këpucë për Policinë e Burgjeve” është me një vlerë prej 193,879,250 lekë pa TVSH.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga operatorët ekonomikë është lënë data 26 maj 2025 dhe afati për zbatimin e marrëveshjes është 48 muaj nga data e nënshkrimit. /korrieri