
Kompania Salillari ka paditur në gjykatë nënkontraktorin italian për ndërtimin e Urës së Madhe të Kukësit duke i kërkuar 8.2 milionë euro dëmshpërblim. Sipas padisë, kompania italiane Maeg ka bërë punë me defekte, të cilat është detyruar që t’i riparojë më pas Salillari.
Kompania shqiptare thotë se riparimi i defekteve të shkaktuara nga Maeg i ka kushtuar asaj 3.5 milionë euro. Mbi këto kosto, Salillari ka llogaritur dhe penalitete, por edhe zëra të tjerë garancie duke e çuar pretendimin total ndaj shoqërisë italiane në rreth 8.2 milionë euro.

Fillimisht padia është bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Por më vonë çështja ka shkuar në gjykatën e lartë për kompetencë.
Gjykata e Lartë ka vendosur që çështja të gjykohet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.
Ura e madhe mbi Drin, pjesë e rrugës së Kombit u hap në korrik të vitit të kaluar. Por pak javë pas hapjes ura u mbyll sërish pa asnjë shpjegim. Më vonë, në media qarkulluan lajme se ura kishte defekt dhe nuk garantonte sigurinë e kalimit.
Vepra qëndroi e mbyllur për disa muaj, gjatë të cilëve me sa duket janë bërë punime riparimi. Këto kosto tashmë janë shndërruar në objekt përplasjesh mes Salillarit dhe nënkontraktorit italian Maeg.-kapitali