
Nga Denada Jushi
Dje
Të duhej një jetë investimi me punë, që një ditë të të shkelqeje ylli, e publiku të njohë punën dhe vlerën, kështu së paku ishte kohë më parë për të angazhuarit publik.
Duhej ngjitja në struktura, mbajtja e çështjeve, fjalimet në parlament e punë në komisione.
Sot
Të duhet një smartfon, budallallëk pa kriter, e mbi të gjitha lëkurë e fortë që ta përdhosësh ( me koshiencë) integritetin dhe dinjitetin… për 5 minuta famë.
Umberto Eco në esenë e tij aq të njohur thotë se interneti iu ka dhënë hapsirë çdo njeriu të shpërfaqet, por listat për deputetë iu kanë vënë edhe prozhektorët që të “shkelqejnë” fort.
Zegjineja, ishte deri dje e panjohur, një vajzë e re Fierake, që vendos të xhirojë vetën me të bertitura;
Gazooo… dhe fjalimi mbart kota greteske sesi një vajze e “gjithëditshme” di çfarë duhet të bëjë tjetri por Zegjineja nuk shqetësohet të bëjë fushatë për veten, qëllimi nuk është të plotësojë ëndrrat e veta, të vetëpërmbushet, të përmirësohet, por qëllimi është;
Denigrimi i kundërshtarit, shpërfytyrimi me batuta të cilat më shumë baltosin Zegjinenë se atë që etiketon ajo.
Zegjineja shkon deri në mendësi të vjetër të
së shkuarës, i lejon vetes ti hyjë në jetë kundërshtarit, të aludojë, të përflasë, e sigurt për të vertetat absolute të cilat as nuk e ka ndërmend ti vendosë në diskutim, por parimi është hidh baltë sa mundesh se diçka ngjit.
Modeli i Zegjinesë po përhapet me shpejtësi në shoqërinë tonë, ska rëndesi çfarë thua, por sa klikohet, nuk ka rëndësi sa poshtë e ul veten, por sa të ndjekin pikërisht për këtë poshtërim…
Ky model shpërndahet me shpejtësi nga media, nga Kryeministri, dhe koncepti i tiktokërizimit të gjithçkajë në të cilen po jetojmë sot.
Profesionalizmi, sensi i etikës, i njerëzores, apo gjithçka tjetër është vënë shitje, dhe çmimi sa vjen e bëhet më i lirë, sa të vjen të pyesësh;
“Deri ku është i aftë njeriu të shkojë, për 5 minuta famë?
Deri ku po dehumanizohemi?”/korrieri