
Deputetja socialiste Olta Xhaçka dhe kolegu i saj Blendi Klosi duket se nuk shqetësohen aspak për autoritetet policore apo për ligjet që zbatojnë çdo ditë qytetarët e zakonshëm.
Sipas të dhënave të publikuara në media, makina me të cilën lëviz Xhaçka, me targa AB 574 JR, ka plot 27 gjoba të papaguara, ndërkohë që Blendi Klosi mban rekordin pas saj me 26 gjoba.
Në sistemin e gjobave të Policisë së Shtetit, të dy deputetët rezultojnë si personat me më shumë gjoba të pashlyera në rang kombëtar.
Gjoba e fundit për Olta Xhaçkën është vendosur më 4 prill 2025, por as ajo dhe as gjobat e mëparshme nuk janë paguar.
Në kontrast të fortë me këtë sjellje, një qytetar i zakonshëm, nëse do të kishte një numër të tillë gjobash të papaguara, do të kishte humbur menjëherë të drejtën e qarkullimit me automjetin deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve.
Ky standard i dyfishtë tregon edhe një herë mënyrën se si funksionarët e lartë shtetërorë i shmangen përgjegjësisë, ndërsa ligji rëndon vetëm mbi qytetarin e thjeshtë.
Asnjë reagim zyrtar nuk është dhënë deri tani nga deputetët apo institucionet përkatëse. /korrieri