
Një nga ndërtimet më ikonike të Tiranës pritet të asgjësohet me një të rënë të lapsit. Ashtu siç po ndodh me prona të tjera shtetërore, ku në vend të tyre po ndërtohen kulla të stërmëdha nga firmat private. Rritja e çmimeve për metër katror në kryeqytet ka rritur kërkesën për troje dhe, pasi mbaruan trojet e privatëve, oligarkët dhe ata që i mbështesin në qeveri i kthyen sytë nga pronat shtetërore.
Me vendime tepër të diskutueshme, ku çdo gjë po shitet dhe po blihet, Korporata e Investimeve Shqiptarë tashmë është bërë e preferuara e biznesmenëve, duke pasuar edhe Agjencinë e Zhvillimit të Investimeve, ajo që fali qindra mijëra metër katror në bregdet. Por, me SPAK-un nëpër këmbë, “rolin” e saj e ka zënë kjo Korporata, e cila po “shet çdo pronë”.
VoxNews ka raportuar për dhjetëra prona që kanë dalë në ankand, nga vilat qeveritare në Velipojë e Vlorë, te pronat te Liqeni i Tiranës, 21 Dhjetori apo edhe te ish-ATSH-ja. Tashmë, radha i erdhi zemrës së Tiranës, ku një ndërtesë që është edhe monument kulture do t’i jepet privatet, për t’u shndërruar në kullë. Por, e çuditshmja në këtë rast është se asgjësimi i Pallatit të Kongreseve do shumë firma, që nga Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës, Shërbimet Qeveritare apo edhe një mori institucionesh.
Kush ka firmosur?!
Në foto: Faqja e internetit e Korporatës së Investimeve Shqiptare që do të hapë së shpejti thirrjen për tjetërsimin e Pallatit të Kongreseve
Deri më tani asnjë institucion, apo zyrtar shtetërorë s’ka dalë në “sipërfaqe”, teksa të gjithë kanë vepruar por kanë fshehur dorën. Të tjetërsosh një monument kulture është një vepër penale, ku duhen vendime kolegjiale dhe jo disa shkresa bakalli.
Por, Korporata nxjerr pa kurrfarë ndroje dhe frike një njoftim të beftë, ku thotë se në thirrjet e ardhshme dhe shumë të afërta do të prishë edhe Pallatin e Kongreseve. Me çfarë dokumentesh? Kush e ka dhënë aprovimin?
Njoftimi është i thatë, por shumë domethënës. Në të tilla raste duhet që të bëhen dëgjesa me grupet e interesit, apo edhe me arkitektët shqiptarë. Por siç ndodh rëndom në vendin tonë, askush nuk pyet dhe vepron me kokë të vetë.
Por, nëse s’e kanë lexuar zyrtarët e kësaj korporate që bëjnë vetëm letra, Pallati i Kongreseve u projektua dhe u ndërtua në vitet 80 – të. Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 1982 dhe përfunduan në 1986, katër vjet më pas. Konstruksioni i ndërtesës është frymëzuar nga ndërtesa tradicionale e Gjirokastrës, Beratit dhe kulla e veriut të Shqipërisë.
Pamja e jashtme e tij është ruajtur mjaft mirë gjatë këtyre viteve duke qëndruar në harmoni me Muzeun Arkeologjik, Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” dhe ndërtesat e tjera përreth. Pallati i Kongreseve është 70 metra i gjatë dhe 18-23 metra i lartë. Salla kryesore ka një kapacitet prej 2100 vendesh. Ky pallat u projektua që kthimi i sallës nga mjedis mbledhjeje në mjedis koncerti të projektohej me lehtësi. Pallati ka dhe 3 salla më të vogla me kapacitet prej 150, 280 dhe 300 vendesh, të dizenjuara si ambiente pune për takime, mbledhje, forume apo ngjarje të tjera si këto.
Në foto: Projekti “Tirana Mooons” do të vendoset në qendër të Sheshit “Nënë Tereza”
Disa javë më parë, kryeministri Edi Rama prezantoi projektin “Tirana Mooons”, i cili do të vendoset në qendër të sheshit “Nënë Tereza”. Por më shumë se ai instalacion, më shumë rëndësi ishte fjalimi për tjetërsimin e Pallatit të Kongreseve.
“Korporata Shqiptare e Investimeve do të shpallë edhe konkursin për rishpikjen mund të themi, nëse mund të përdor këtë fjalë, rikualifikimin, – Frida e thotë më mirë – të Pallatit të Kongreseve, me të njëjtën formulë si me stadiumin ku do të fitojmë një Pallat Kongresesh të transformuar, të rinovuar dhe patjetër do shohim si do paraqiten dhe cili do jetë projekti më i mirë” tha Rama.
Sipas tij, do të bëhet konkurs ndërkombëtar dhe do të bëhen edhe parkime nëntokësore.
Në foto: Faqja zyrtare e Korporatës së Investimeve Shqiptare që do të hapë ankandin për kulla te Pallati i Sportit “Asllan Rusi”
Paralelisht me projektin e Pallatit të Kongreseve, Korporata ka publikuar se do të hapë së shpejti edhe ankandin për tjetërsimin dhe shembjen e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, në Tiranë. Në vend të asaj prone do të ndërtohen kulla dhe në fund një pallat sporti.
Ky projekt ka avancuar, pasi është miratuar edhe një vendim i Këshillit Bashkiak, që i ka dhënë dritë jeshile Korporatës që të zhvillojë pasurinë aktuale, e llojit truall dhe ndërtesë, me një sipërfaqe totale prej 14,094.58 m2, nga kjo 5040 m2 ndërtesë, në pronësi të “Qendrës Sportive”. /voxnews.al