
Ish-kryebashkiaku Elvis Roshi është fotografuar i maskuar me kapuç mes turmës në takimin elektoral të Sali Berishës në Kavajë, në një përpjekje të dukshme për të shmangur vëmendjen publike dhe kamerat.
Roshi është pozicionuar pas rreshtave të parë, duke ndjekur nga afër zhvillimet e takimit. Por më shumë se prania e tij fizike, ajo që ka habitur është fakti se Roshi, dikur kundërshtar politik i Berishës, tani është vendosur në qendër të fushatës së PD-së në Kavajë.
Kujtojmë se në kohën që ishte me PS cilësohej si kriminel prej opozitës, ndërsa tani që ka kaluar në krahun blu duke mbështetur familjarin e tij që garon në PD, është në rregull.
Roshi nën hetim pasuror nga SPAK-u
SPAK po kryen një hetim pasuror ndaj ish kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi, i cili është subjekt i ligjit anti-mafia, një personazh me disa emra dhe me të shkuar kriminale në Itali. Hetimi pasuror ndaj ish kryebashkiakut lidhet jo vetëm me shpenzimet, por edhe investimet e kryera ndër vite. Llogaritë me SPAK Roshit ju hapën nga një vendim i gjykatës së posaçme e cila refuzoi pushimin hetimeve të prokurorisë së Durrësit mbi kallëzimin e KLSH që gjeti shkelje në tenderat nga ish kryebashkiaku i Kavajës.
Ka indicie të forta që Elvis Roshi ka pastruar miliona euro në resorte dhe pallate në Qerret, përmes dhënies së pronave gjoja për ndërtim, një formë kjo e njohur pastrimi parash. Pjesët takuese i ka shitur më pas me vlerë qindra mijëra euro, duke i futur kështu paratë të pastrura në sistemin bankar.
Por, për t’i shpëtuar veprimit të drejtësisë, Elvis Roshi dyshohet se pasuritë e paluajtshme me vlerë miliona euro nga Kavaja në Tiranë, i ka në emër të personave të tjerë të besueshëm, të cilët nuk kanë ngarkesa kriminale.