
Arrestohet i riu që mashtroi klientët e Raiffeisen Bank
Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor kundër krimit kibernetik, të koduar “MISLEADING MESSAGES”, duke vënë në pranga një 23-vjeçar nga Franca, i dyshuar për mashtrime nëpërmjet dërgimit të linqeve të rreme bankare.
SHIH VIDEON
Sipas njoftimit zyrtar, i riu iu dërgonte qytetarëve në Shqipëri mesazhe të rreme, të maskuara si komunikime zyrtare nga një filiale e Raiffeisen Bank, duke i shtyrë ata të plotësonin të dhënat e tyre bankare. Më pas, ai përdorte këto të dhëna për të tërhequr para nga bankomatet ose përmes aplikacioneve bankare.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DPPSH, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale. Falë reagimit të shpejtë dhe veprimeve të koordinuara, u bë e mundur lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. S., 23 vjeç, në një bankomat në Tiranë, në momentin që po tërhiqte para të përfituara përmes mashtrimit.
Hetimet kanë zbuluar se 23-vjeçari kishte zhvilluar aktivitetin mashtrues fillimisht në Francë, duke përfituar të dhënat bankare të qindra qytetarëve, dhe më pas kishte ardhur në Shqipëri për të tërhequr fondet.
Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre aparate celularë. Ndërkohë, vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se disponon të gjitha kapacitetet logjistike dhe burimet njerëzore për të hetuar dhe ndëshkuar çdo formë të keqpërdorimit të rrjeteve sociale dhe u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë vigjilencë ndaj çdo aplikacioni ose linku të panjohur, si dhe të denoncojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë. /korrieri