
Rasti i vdekjes së 29-vjeçarit Nikos Karaklas ka ngjallur interesin e FBI-së greke. Autoritetet konsiderojnë si personazh kyç të çështjes një 30-vjeçar me origjinë shqiptare, të paidentifikuar me emër, i cili jeton në Mytilene dhe që vazhdon të jetë i zhdukur edhe sot e kësaj dite. Sipas mediave greke, autoritetet janë të përqëndruar në një rast të zbulimit të 8 kilogramëve hashash dhe 1 kilogram kokainë, disa ditë më parë.
Bëhet me dije se sasia e drogës është zbuluar gjatë kontrollit të një anijeje pasagjerësh. Marrësi i drogës ishte një 30-vjeçar shqiptar. Ai është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka lidhje edhe me vdekjen e 29-vjeçarit, i cili punonte si roje bregdetare. Aktualisht, autoritetet po ndjekin lëvizjet e fundit të 29-vjeçarit, ndërsa janë ende në pritje të rezultateve të ekspertizës mjeko-ligjore por edhe të dhënave që do të zbulojnë nga telefoni i të riut.
I RIU GREK
Një zonjë e ka parë në momentet e tij të fundit dhe dëshmon: E pashë dhe ishte i mbuluar me gjak. Ishte vetëm!
Në deklaratat e dhëna në polici, familjarët e Nikos Karaklas janë shprehur se në asnjë moment ai nuk kishte lënë përshtypje se do t’i jepte fund jetës apo të ishte në gjendje të rënduar emocionale. Ndërsa nëna e tij ka ngritur një tjetër pistë hetimi duke thënë se djali i saj është kërcënuar edhe më herët, për shkak të punës së tij. Policia po kërkon të gjejë informacione nëse 29-vjeçari para se të gjendej i vdekur, i varur në kryqin e një kishe, ishte përfshirë në ndonjë debat, pasi në fytyrën dhe trupin e tij kishte shenja dhune. Këtë version e mbështet edhe dëshmitarja që e pa për herë të fundit.
Në këto kushte, “përgjigje” mund të japë celulari i viktimës, i cili u gjet së bashku me këpucët e tij 87 kilometra larg vendit ku ai ndërroi jetë. /korrieri