
Në kuadër të hetimeve për korrupsion ndaj ish-shefit të qarkullimit në Tiranë, Roven Zeka, është zbuluar emri i biznesmenit të cilit i është sekuestruar celulari nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Sipas VNA.al, bëhet fjalë për Ndriçim Babasin, ish-deputet, i cili dyshohet se ka ndërmjetësuar kontaktin midis Zekës dhe një personi që akuzohet se ka paguar ryshfet për të shmangur arrestimin e bashkëshortes së tij, të përfshirë në një aksident rrugor.
Hetimet kanë zbuluar se, përveç sekuestrimit të celularëve, SPAK ka marrë në administrim edhe pamjet e kamerave të sigurisë të bllokut të sigurisë, pas dyshimeve se Roven Zeka është vizituar në qeli nga disa zyrtarë të tjerë të policisë. Vizitat e tilla në ambientet e izolimit janë të ndaluara për personat nën hetim, çka ka shtuar dyshimet mbi përpjekjet për të ndikuar në hetimin penal.
Roven Zeka u arrestua më 10 prill 2025, së bashku me dy vartësit e tij, Sokol Novaku dhe Edison Tabaku, nën akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. /vna.al