
Kryeministri Edi Rama ishte mbrëmjen e sotme në Patos, ku zhvilloi një takim elektoral me banorët e zonës në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se vota e 11 majit është një votë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe për integrimin në Bashkimin Evropian.
Ai shprehu bindjen se Partia Socialiste do të sigurojë një fitore historike në Fier, të cilin e cilësoi si “kryeqyteti i socialistëve”.
Rama: Dua tju them se çdo njeri nga ne me një votë në qendër të fletës së votimit, do ja bëjë qepalla Europës dhe do lërë pas hijet e së shkuarës që nuk na janë ndarë për dekada e shekuj. Hyrja në BE do i japë shqiptarëve garancinë përfundimtare se përpjekja jonë, për të vendosur barazinë para ligjit do jetë e pakthyeshme përgjithmonë.
11 maji është i ngjashëm me 22 marsin e shumë viteve më parë. U votua PD jo se ishin me PD por duhej mbyllur një histori dhe hapur një histori e re. Nuk mund ta humbim trenin e historisë. Nuk mund ta lëmë derën e hapur të BE-së të na mbyllet para syve. Duhet të vendosim të gjithë besimin dhe kurajon që Shqipëria e 2030 të jetë një Shqipëri europiane dhe ky flamur të ngjitet aty. Më 11 maj do marrim një fitore rekord këtu në Fier, në kryeqytetin e socialistëve.