
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim elektoral në Kukës, ku deklaroi me bindje se ky qark në vitin 2030 do të numërojë plot 1 milion turistë, ku qyteti i nëndheshëm do jetë atraksioni kryesor.
Qyteti i nëndheshëm i Kukësit apo vendstrehimi i ndërtuar dekada më parë nga regjimi monist, për të strehuar aty banorë në rast të një sulmi, pritet që të kthehet në një nga atraksionet turistike më të bukura në Shqipëri.
Kështu bëri të ditur kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste gjatë një takimi elektoral në qarkun e Kukësit.
“Ka dhe një tjetër element që do ta vendosim në qendër të vëmendjes në mandatin e katërt që është qyteti i nëndheshëm këtu. Me qytetin e nëndheshëm kemi mundësi tani të krijojmë një nga atraksionet më të bukura të Shqipërisë. Kur unë thoja që Tropoja do të bëhej një nga destinacionet turistike dhe këtu do të vinin shumë turistë dhe këtu do të jetonin me turistët, kuptohet se isha një qen komunist që duhet të ikja një orë e më parë nga Tropoja dhe nuk besonte njeri, ndërkohë që besonin një komunist tamam, se unë nuk jam e nuk kam qenë. Ndërkohë që sot Tropoja e ka të hapur rrugën e destinacionit turistik. Me Paketën e Maleve do të ketë zhvillime të reja jam i bindur sepse Paketa e Maleve në Tropojë zgjidh edhe problemin e gështenjave fjala vjen sipas tyre që janë prona me trashëgimi zakonore. Ndërkohë që po ju them sot që potenciali i Kukësit, nëse ne së bashku arrijmë të kombinojmë të krijojmë atraksionin duke vendosur në qendër si një magnet qytetin e nëndheshëm për të cilin po përgatisim një konkurs ndërkombëtar për ta kuptuar ekzaktësisht si do të zhvillohet dhe në konkursin ndërkombëtar do të përfshihet edhe hotel “Turizmi””, u shpreh Rama.
Teksa vuri theksin te Paketa e Maleve, pati një thirrje edhe për “çunat e Londrës”.
“Pas zgjedhjeve do fillojmë të fusim në punë Paketën e Maleve e cila është në dispozicion të atyre që duan të investojnë në tokat e të parëve, apo në toka ku bien dakord me pronarët për turizëm, agroturizëm, patjetër edhe për blegtori, agropërpunim, agrobiznes duke bërë disa hapa të thjeshtë. E para toka që është fakt, pra pronari fakti, por që nuk figuron në letra, shkon në bashki dhe depoziton kërkesën që t’i njihet kjo tokë si toka e të parëve të tij. Bashkia e përcjell në Këshillin Bashkiak dhe bën afishimin për 30 ditë. Bashkia bën verifikimin. Në momentin që mbaron 30 ditëshi dhe personat rezultojnë që janë të pa kontestuar, Këshilli Bashkiak i jep vendimin që mund të bëjnë një investim në tokën e tyre. Me atë vendim, ata bëjnë një projekt dhe në Ministrinë e Ekonomisë bëjnë një kontratë dhe tokën e marrin me 1 Euro, e investojnë. Kur mbaron investimi marrin lejen për ta regjistruar në hipotekë si pronën e tyre. Nëse ndodh që pasi ata e kanë kryer investimin dhe e kanë regjistruar në hipotekë dhe del dikush që i thotë prit se jam unë, ky personi që ankohet nuk ka mundësi t’ju ndërhyjë në atë që kanë bërë, por shteti merr përsipër ta gjykojë dhe ta kompensojë diku tjetër. E di që na dëgjojnë edhe çunat në Londër. Për 500 aplikimet e para, për 10 vjet nuk do paguani asgjë. Thjesht do bëjnë investimin dhe 10 vjet nuk do kenë asnjë taksë për të paguar”, tha kryeministri.