
Kryeministri Edi Rama, në një takim me qytetarët në Kuçovë, kërkoi votën për të arritur një shumicë absolute, duke theksuar se kjo nuk është për karrigen e tij, por për futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij, Rama ironizoi sërish opozitën, duke e cilësuar atë si “kënetë”, ndërsa për partitë e reja tha se “kanë premtuar se nëse çdo gjë do të varet prej tyre, do ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme”.
Sipas Ramës, një skenar i tillë nuk do të sillte asgjë tjetër veçse mbylljen e derës së BE-së për Shqipërinë.
Rama: Pasi biem dakord atje, duhet të vijmë këtu në Tiranë. Duhet ti vulosim këtu, si rregulla, si ligje. E para përfytyroni ju, ne negociojmë në Bruksel, vijmë këtu, shkojmë në kuvend dhe duhet ti shkojmë pas avazit disa të tjerëve atyre që do nxjerrë kënetë në breg. Apo atyre që shfaqen si partitë e reja, që të re kanë vetëm moshat e tyre, parti të reja që në listat e mbyllura kanë baballarë, xhaxha, halla.
Parti të reja që thonë nëse ne do na vijë në dorë kjo punë do shkojmë në zgjedhje të parakohshme nuk do lejojmë që Shqipëria të ketë qeveri. Nga një anë e duam të fusim Shqipërinë në BE, nga ana tjetër ca do i themi atyre, që kemi disa probleme me kënetën. Po ca ti bëjmë kemi një kënetë me një specie të veçantë, dhe kemi ca të tjerë që duan zgjedhje të parakohshme. Kjo gjë do të bëjë që të mbyllet dera dhe do presim edhe ca vite të tjera.
Po jua them ky mandat nuk është për mua, nuk është për shumicën tonë të thjesht. Është më shumë se kaq. Arsyeja që ju them se duhet një mandat i katërt është se këtu duhet për përmbushim një mision historik./korrieri