
Gjykata e Vlorës ka lënë në qeli të arrestuarin dy ditë më parë, Eris Mehmeti, i akuzuar se ndihmoi duke e larguar me makinë pas atentatit mbrëmjen e 27 prillit, ekzekutorin e Renato Hoxhajt.
Eris Mehmeti, përpara oficerëve të policisë, ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen e Hoxhës, teksa motivet e krimit mbeten ende të panjohura, autori i krimit, i maskuar dhe me kapele gjuetari largohej nga skena e ngjarjes.
Megjithatë, përballë faktit se automjeti është në pronësi të tij, ai e ka pranuar këtë, duke deklaruar në polici se makina është e njëjtë me atë që zotëron.
Ndër të tjera, ai ka shtuar se automjetin ia kishte lënë për përdorim një miku të tij, pasi ky ia kishte kërkuar, dhe se nuk ka dijeni se për çfarë është përdorur më pas makina.
Por emri i “mikut” të tij mbetet ende jo publik dhe po verifikohet nga hetuesit.
Eris Mehmeti është lënë në burg nga Gjykata e Vlorës, i dyshuar për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjes së Renato Hoxhës”.
Nga hetimet e deritanishme, policia dyshon se automjeti mund të jetë çmontuar në ndonjë pikë skrapi ose në servis, ndaj po zhvillohen hetime edhe në këtë drejtim./korrieri