
SKANDALI/ Cila kompani futi tonelata me mish pule me salmonelë , AKU vonon publikimin e rezultatit të analizave, Korrieri do të zbardhë skandalin
Mijëra ton mish pule të importuar dhe të infektuar me salmonelë dyshohet se janë hedhur në treg nga një prej kompanive më të mëdha të importit të këtij produkti në vend, ndërsa skandali përfshin edhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, i cili po përpiqet ta mbajë të fshehtë këtë fakt.
Burime të “Gazeta Korrieri” thonë se dërgesa ka hyrë në vend ditët e fundit dhe është importuar nga Amerika. Sipas burimeve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë mostra për analiza në doganë dhe i ka dërguar në laboratorët e tij. Rezultatet janë vonuar disa ditë dhe në këtë periudhë, kompania importuese ka tërhequr mallin dhe e ka hedhur për shitje në treg.
Testimet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit rezultuan pozitive për infektim me salmonelë gjatë analizimit të mishit të pulës.

Burimet bëjnë të ditur se bëhet fjalë për tonelata të këtij produkti, që po konsumohet çdo ditë nga qytetarët, ndërsa AKU tregon një neglizhencë të qartë përballë këtij skandali.
“Korrieri” ka denoncuar vazhdimisht abuzimet me produktet ushqimore dhe po ndjek me prioritet këtë rast.
Në shkrimet e ardhshme do të sjellë detaje të tjera lidhur me kompaninë, vendin e saktë të importit dhe informacione të tjera që lidhen me këtë skandal. /Korrieri
SKANDALI/ Cila kompani futi tonelata me mish pule me salmonelë AKU vonon publikimin e rezultatit të analizave, Korrieri do të zbardhë skandalin