
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijon kritikat e tij të ashpra ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, duke e akuzuar për tentativa për të ndryshuar Kushtetutën dhe për mungesë rezultatesh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në një konferencë për shtyp, Berisha deklaroi se Dumani po kërkon zgjatjen e mandatit të tij në krye të Prokurorisë së Posaçme, duke e cilësuar këtë përpjekje si të papranueshme dhe në kundërshtim me frymën kushtetuese.
Ndërkohë, sondazhet e fundit tregojnë se SPAK mbetet institucioni më i besuar nga shqiptarët, duke reflektuar pritshmëri të larta nga qytetarët për luftën kundër korrupsionit në nivele të larta. Këto rezultate tregojnë një kontrast të thellë me kritikat e vazhdueshme të Berishës, i cili e akuzon Dumanin për mungesë të dënimeve të rëndësishme dhe për pazare politike.
“Përkundër pritshmërive, Dumani nuk ka asnjë rezultat të prekshëm, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte dhënë dhjetëra dënime të përjetshme për kriminelë të rrezikshëm,” tha Berisha, duke shtuar se SPAK duhet të japë llogari për performancën e tij. /korrieri