
Nga Redaksia Investigative – Gazeta Korrieri
Pas një informacioni të mbërritur në redaksinë e Gazeta Korrieri, mbi praninë e aflatoksinës M1 në qumështin që qarkullon në tregun shqiptar, kemi dërguar një kërkesë zyrtare pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) më datë 29 mars 2025. Në përgjigje zyrtare, AKU ka pranuar se nga gjithsej 26 mostra të marra në periudhën janar 2024 – prill 2025, 10 kanë rezultuar jokonforme, duke përmbajtur nivele të larta aflatoksine, të tejkaluara nga normat e lejuara.
Sipas të dhënave të konfirmuara nga AKU:
- Për vitin 2024 kanë rezultuar 2 mostra pozitive:
- 0,203 µg/kg
- 0,325 µg/kg
- Për periudhën janar-prill 2025 janë identifikuar 8 mostra jokonforme:
- 0,150 µg/kg
- 0,210 µg/kg
- 0,221 µg/kg
- 0,331 µg/kg
- 0,882 µg/kg
- 0,293 µg/kg
- 0,228 µg/kg
- 0,337 µg/kg
Për produktet që kanë rezultuar jokonforme, AKU njofton se janë marrë masa administrative, përfshirë bllokimin e produktit dhe asgjësimin e tij, si dhe gjurmimin e origjinës së qumështit deri në nivel fermeri.
Gazeta Korrieri ka denoncuar vazhdimisht çështjen e sigurisë ushqimore në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e bulmetit, një prej hallkave më të ndjeshme për shëndetin publik. Në shtator 2024, redaksia jonë nisi një fushatë të gjerë investiguese, gjatë së cilës u zbuluan shkelje të rënda të standardeve higjieno-sanitare, mashtrime me etiketime dhe probleme të rënda në zinxhirin e prodhimit te kompanive.
Gazeta Korrieri do të ndjekë hap pas hapi këtë skandal ushqimor dhe do të publikojë në ditët në vijim emrat e subjekteve përgjegjëse, dokumente, dhe dëshmi të fermerëve e specialistëve të sigurisë ushqimore. /korrieri