
Një aksident i rëndë rrugor me pesë të plagosur në Tiranë është shndërruar në epiqendrën e një skandali korrupsioni, që ka çuar në ndalimin e tre zyrtarëve të lartë të Policisë së Rrugores nga SPAK. Hetimet zbuluan një skemë ku efektivët e policisë kanë përfituar para në mënyrë të paligjshme për të mos arrestuar një drejtues automjeti të përfshirë në aksident.
Ngjarja ndodhi më 16 prill 2025, kur dy automjete u përplasën në kryeqytet, duke shkaktuar plagosjen e pesë pasagjerëve në një prej mjeteve. Në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja A.V., bashkëshortja e biznesmenit E.V., i cili tashmë është nën hetim për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas të dhënave të siguruara nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), efektivë të policisë rrugore i kërkuan familjarëve të drejtueses së mjetit një shumë prej 2 mijë eurosh, në mënyrë që të shmangnin arrestimin e saj. Kjo shumë u sigurua me urgjencë nga bashkëshorti i saj, E.V., dhe iu dorëzua njërit prej efektivëve – një fakt i dokumentuar gjatë hetimeve të thelluara të Prokurorisë së Posaçme.
Ndalimi i tre zyrtarëve të lartë të Policisë së Rrugores
Pas verifikimeve, më 18 prill me urdhër të prokurorit të posaçëm janë ndaluar:
- Roven Zeka, shef i Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë,
- Sokol Novaku, shef i hetimit të aksidenteve rrugore në të njëjtin komisariat,
- dhe Edison Tabaku, oficer i policisë gjyqësore.
Të tre janë të dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, sipas neneve 259/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Aksioni i ndalimit u ekzekutua nga BKH në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Gjatë kontrolleve të zhvilluara, janë sekuestruar si prova materiale shumat prej 2.500.000 lekësh dhe 26 mijë eurosh. /korrieri