
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 ballë të shkallës Rihter ka goditur Turqinë këtë të mërkurë, duke shkaktuar panik në Stamboll dhe zonat përreth.
Sipas burimeve, tërmeti kishte një thellësi fokale prej 10 kilometrash, dhe është ndjerë fuqishëm në qytetin më të madh të vendit, ku ndërtesat janë lëkundur për disa sekonda.
Këtij tërmeti i janë shtuar edhe dy pasgoditje, me magnitudë 5.0 dhe 5.3 ballë, sipas të dhënave nga Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC).
Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore dhe Emergjencave në Turqi (AFAD) ka raportuar se epiqendra e tërmetit ndodhej në zonën detare, rreth 25.5 kilometra në jug të Silivrisë, një zonë në perëndim të Stambollit.
Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme të mëdha materiale, por autoritetet po vazhdojnë vlerësimet në terren, ndërsa qytetarët janë këshilluar të qëndrojnë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve përkatëse. /korrieri