
Pas tërmetit me tronditje të forta që preku Stambollin, shkencëtarët besojnë se mund të pasojnë goditje të tjera. “Për momentin ekzistojnë dy skenarë: ose rajoni i drejtpërdrejtë ku ndodhi tërmeti është shtendosur tani për tani dhe situata sizmike po qetësohet dalëngadalë, ose rishpërndarja e tensionit sizmik të krijuar nga tërmeti do ta rrisë mundësinë e një tërmeti më të madh në rajon,” tha Marco Bohnhoff studiues pranë Qendrës Helmholtz për Gjeodezinë (GFZ). Ne po i ndjekim dhe po i vrojtojmë zhvillimet sizmike në rajon me shumë vëmendje, sqaroi ai.
Rajon me rrezik të veçantë
Tërmeti i tanishëm ishte më i forti prej më shumë se 25 vjetësh në këtë rajon. Sipas GFZ-së tërmeti i parë pati një magnitudë prej 6.2 ballësh, dhe ishte në një thellësi prej rreth dhjetë kilometrash, rreth 60 kilometra në perëndim të Stambollit në Detin Marmara.
Vetëm 13 minuta më vonë toka u trondit sërish, këtë herë me një magnitudë prej 5.3 ballësh në një distancë prej rreth 40 kilometrash. Lëkundjet u ndjenë edhe në Greqi dhe Bullgari.
Sipas shkencëtarëve tërmeti i dytë tregon se tensionet janë zhvendosur. Kjo i bën më të mundshme dridhjet e mëtejshme. Sipas Ministrisë së Brendshme turke u regjistruan më shumë se 120 pastronditje sizmike.
Pranë Stambollit takohen dy pllaka tektonike
Sipas ekspertëve rajoni rreth Detit Marmara pranë qytetit të Stambollitme rreth një milion banorë, ka një nga strukturat gjeologjike më të rrezikshme në botë: aty takohen dy pllaka tektonike – pllaka euroaziatike dhe pllaka e Anadollit.
Zona nën Detin Marmara në jug të Stambollit është i vetmi sektor i zonës së kufirit të pllakave tektonike, e cila nuk ka gjeneruar për më shumë se 250 vjet ndonjë tërmet të fortë. Ekspertët supozojnë prej kohësh se Stambolli do të tronditet herët e vonë prej një tërmeti me magnitudë rreth 7 ballë./DW