
Çështja e pronave në bregdet ishte kryefjala e takimit elektoral të Sali Berishës në Himarë. Ai tha se Vangjel Tavo është misionar i qëllimeve mafioze të Edi Ramës.
Berisha ka akuzuar kryebashkiakun Vangjel Tavo dhe kryeministrin Edi Rama se duan të grabisin tokat e Manastirit të Skutarasë dhe Gjipesë.
“I them Vangjel Tavos, misioni yt… bravo, ashtu është. E meriton plotësisht neverinë tuaj. E meriton sepse erdhi vetëm misionar i qëllimeve mafioze të Edi Ramës, i cili me familjen e tij do të plaçkisë tokat e Manastirit të Skutarasë, do të plaçkisë Gjipenë, në një kohë kur familja e tyre ka pasur, sipas dëshmive, katër dhi dhe tre derra. Dhe e thotë vetë, Baba Piloja siç i thotë Edi Rama, që ne nuk kishim tokë fare, kurse tani na del me 224 mijë metra katrorë tokë dhe thotë që e kam në majë të malit, toka del buzë detit. Edi Rama, nuk do e gëzosh kurrë atë tokë. Toka është e këtyre banorëve, është e manastirit dhe ti nuk do ta marrësh kurrë atë”, tha kreu i PD.
Berisha u zotua se kryesocialisti nuk do ta gëzojë kurrë tokën në zonën e Himarës dhe u premtoi qytetarëve rikthimin dhe kompensimin e saj, e njëherësh edhe pajisjen e tyre me dokumente. /korrieri