
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj në Vlorë.
Raportohet se pika ku viktima kishte shtëpinë ishte e vendosur në një vend shumë të lakmuar për ndërtime të reja dhe duket se policia po nis hetimet në një pistë të re.
Burime pranë familjes së Hoxhajt janë shprehur se kohët e fundit ishte shfaqur i shqetësuar pasi kishte marrë kërcënime të ndryshme për të dhënë tokën për ndërtim por ai nuk kishte pranuar.
Vetëm disa metra më larg, është ndërtuar një pallat disa katësh ku çmimet e apartamenteve janë të larta duke shkuar në rreth 1500 euro/metri.
Policia po merr në pyetje disa persona edhe për këtë pistë përfshirë pronarin e pallatit të ndërtuar pranë banesës të tij, për të vërtetuar nëse ekziston prej tij një kërkesë e tillë apo jo.
Sipas të njëjtave burime, në kontakte me të afërm, ai është shprehur se ”po merr kërcënime për shtëpinë ” me qëllim që aty të ndërtohej por do rezistonte.
Kjo pistë po hetohet më intensivisht vetëm për faktin që Hoxhaj nuk kishte probleme të tjera dhe në zonë njihej si një njeri i qetë dhe i respektueshëm.
Dy fëmijët e rritur nuk kanë patur shumë kontakte me të pasi jetojnë jashtë shtetit prej vitesh dhe kontaktet e vetme kanë qenë telefonike. /korrieri