
Një shqiptar i shumëkërkuar për trafik ndërkombëtar droge është arrestuar në Bolonja.
Mësohet se 37-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet me dije është arrestuar sapo ka mbërritur nga Spanja në aeroportin e Fiumiciono, Romë.
Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar, pasi u zbulua se ishte pjesë e një rrjeti të mirëorganizuar narkotrafiku nëpërmjet përgjimeve të aplikacionit Sky ECC.
Nga hetimet rezultoi se i riu ishte përdorues i aplikacionit dhe iu gjetën biseda të shumta, mbi të cilat është ngritur edhe akuza, pasi e ka përdorur atë për të menaxhuar trafikun e lëndëve narkotike.
Në mars të këtij viti, u lëshuan edhe 5 urdhër-arreste të tjera për bashkëpunëtorët e tij, ndërsa asokohe, shqiptari ishte arrestuar në Spanjë.
Grupi i strukturuar kriminal ishte i përbërë nga shqiptarë, të cilët përmes aplikacionit SKY ECC menaxhonin trafikun e drogës.
I arrestuari jetonte prej vitesh në Bologna, por ishte zhvendosur në Spanjë në vitin 2022, ku ndodhej në paraburgim për trafik droge. Ndaj tij, gjykata caktoi masën “arrest me burg”, pasi iu gjet plantacioni me 2167 bimë kanabisi, 53 gramë dhe 581 tableta marijuanë, 581 tableta kanabisi.
Shqiptari dyshohet se ka përdorur edhe lidhjet e tij kriminale për të trafikuar kokainë.
Sipas hetimeve, nga muaji mars deri në dhjetor 2020, ai ka trafikuar në Itali 50 kilogramë kokainë (me vlerë blerjeje tregtare 1.7 milionë euro) dhe 80 kilogramë marijuanë (rreth 300 mijë euro).
Sapo ka zbritur në Itali, atij iu është lexuar masa e sigurisë së bashku me dënimin përfundimtar me 2 vjet e 8 muaj burgim, po ashtu është gjobitur me 12 mijë euro.
Ai rezulton se është arrestuar edhe më parë në Bologna në vitin 2019, pasi është kapur në një parkim më 150 gramë kokainë gati për shitje. /korrieri